Një bandë e përbërë nga shtetas shqiptarë dyshohet se ka kryer 50 vjedhje banesash në Italinë Veriore, përfshirë rajonet Veneto, Emilia Romagna dhe Lombardi. Sipas hetimeve, nga këto vjedhje janë marrë mallra me vlerë, përfshirë sendet që kapin një total mbi gjysmë milionë euro.
Gjatë arrestimit, së bashku me kreun e dyshuar të bandës, janë gjetur dhe sekuestruar sende të ndryshme, si bizhuteri, ora, çanta, kuleta, pajisje elektronike dhe të tjera, përfshirë pajisje kuzhine.
Hetimet nisën në nëntor, kur autoritetet analizuan një sërë vjedhjesh të ndodhura në zonën e Padovës dhe arritën të identifikojnë një grup prej tre personash të specializuar në grabitje. Operacioni për kapjen e tyre u zhvillua më 16 dhjetor. Gjatë tij, një 29-vjeçar u arrestua në një apartament, ku u gjetën sende të vjedhura, radio dhe telefona të përdorur për të koordinuar vjedhjet. Ndaj tij është lëshuar urdhër arresti për vjedhje dhe posedim mallrash të vjedhura.
Në një tjetër apartament në Bareggio, Milano, u gjet partnerja e njërit prej personave të shpallur në kërkim, një 45-vjeçar shqiptar i dënuar më parë për vjedhje. Në apartament u zbuluan mallra të tjera të vjedhura, dhe gruaja është akuzuar për posedim mallrash të vjedhura.
Gjithashtu, u bastis një apartament i tretë në provincën e Bergamos për të kërkuar bashkëpunëtorin e tretë, një 30-vjeçar me precedentë për vjedhje, por nuk u gjetën gjurmë të tij. Hetimet për rastin vazhdojnë.