Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga banorët e lagjes 13 në Durrës, një zonë e njohur turistike pranë vijës bregdetare.
Banorët ankohen për përmbytje të rënda që ndodhin pas disa orëve shi, duke i lënë të izoluar brenda banesave të tyre.
"Jemi banorë të lagjes 13 në Durrës (zona turistike më e populluar në Shqipëri). Shikoni situatën pas disa orëve shi, 200 metra larg vijës bregdetare. Nuk dalim dot nga banesat tona dhe jemi në kushte të periudhës mesjetare," shkruan qytetari në mesazhin e tij.
Sipas denoncuesit, problemi ka të paktën 20 vite, ndërsa bashkia e Durrësit nuk ka marrë asnjë masë për zgjidhjen e situatës, pavarësisht ankesave të shumta të banorëve, përfshirë peticione me firma.
"Në një kohë kur kryetarja e bashkisë i ka rritur vetes pagën me 50-60%, ne vuajmë nga përmbytjet dhe infrastruktura e dobët. Ky është turizmi shqiptar me të cilin mburret qeveria," përfundon qytetari, duke vënë në dukje kontrastin mes pretendimeve të institucioneve dhe realitetit të zonës.
Banorët apelojnë për ndërhyrje urgjente nga autoritetet për të zgjidhur një problem që ka degraduar cilësinë e jetës dhe që është kthyer në një pengesë serioze për zhvillimin e zonës turistike.