Një qytetare ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania shqetësimin e saj për zhurmën e borive të makinave në rrugën "Prokop Mima" në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.
Ajo shprehet se kjo situatë vazhdon prej një muaji, duke krijuar shqetësime të mëdha për familjet që jetojnë aty, veçanërisht për ato me foshnja të vogla.
" Përshëndetje JOQ! Tek rruga Prokop Mima, që të nxjerr nga Parku Olimpik te Kristali, ka 1 muaj që zgjohemi me bori makinash dhe është e pamundur të durohet. Siç e shikoni, as trafik nuk mund të quhet me 10 makina, dhe njerëzit nuk llogarisin që ka familje që jetojnë. Na kanë tmerruar bebat," shkruan qytetarja në mesazhin e saj.
Ajo shton gjithashtu se ka njoftuar disa herë Policinë e Shtetit për këtë problem, por ndërhyrja e tyre ndodh me shumë vonesë, zakonisht pasi situata është qetësuar.
"Kam disa ditë që marr policinë në telefon dhe vijnë pas një ore, kur gjithçka ka pushuar," përfundon ajo.
Banorët e zonës kërkojnë që autoritetet të marrin masa për të parandaluar përsëritjen e kësaj situate dhe të sigurojnë qetësinë për komunitetin.