Hill: SHBA-ja s’sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin në “Ibër-Lepenc”

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 23.12.2024, 21:39

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, tha SHBA-ja “nuk sheh asnjë provë që do të çonte në Beograd” kur bëhet fjalë për atë se kush qëndron pas sulmit në kanalin e furnizimit me ujë, “Ibër-Lepenc”, në veri të Kosovës.

“Ne sigurisht nuk shohim asnjë provë që do të çonte në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë”, tha Hill në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, RTS.

Në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe, në Zubin-Potok, më 29 nëntor ka ndodhur një shpërthim, i cili ka dëmtuar kanalin e Ibër-Lepencit, i cili furnizon me ujë disa qytete, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termocentraleve.

Hill shtoi se është mirë që Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI) po e mbështet hetimin dhe se kjo flet për mungesën e besimit dhe një “prirje drejt akuzave të ndërsjella”.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sulmi është kryer me deri në 20 kilogramë eksplozivë.

Kosova fajësoi Serbinë për këtë sulm, të cilin Beogradi zyrtar e hodhi poshtë.

Në ditët pas sulmit, autoritetet e Kosovës kryen disa aksione në veri, gjatë së cilave konfiskuan armë, municione e pajisje të tjera ushtarake. Nga dhjetë të shoqëruar në polici si të dyshuar për përfshirje në sulm, dy u dërguan në paraburgim për një muaj.

Për autoritetet e Kosovës ky ka qenë sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/’99, dhe që dëmet shkojnë në rreth 400.000 euro.

Sulmi u dënua ashpër nga SHBA-ja dhe shtete të Bashkimit Evropian.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit