Një nga figurat më të larta ushtarake në Rusi, Gjeneral-Lejtnant Igor Kirillov, është vrarë në Moskë në një shpërthim të organizuar nga shërbimi sekret ukrainas SBU. Kirillov, i cili drejtonte trupat për Mbrojtjen Nukleare, Kimike dhe Biologjike të Rusisë, u vra së bashku me asistentin e tij kur një skuter elektrik i mbushur me eksploziv shpërtheu pranë një ndërtese banimi.
Burime nga SBU konfirmuan se operacioni ishte kryer nga inteligjenca ukrainase si hakmarrje ndaj akuzave për përdorimin e armëve kimike kundër trupave ukrainase.
Kirillov, i cili së fundmi ishte në qendër të akuzave për armë të ndaluara kimike, është figura më e lartë ushtarake që vritet brenda Rusisë nga Ukraina. Zyrtarët rusë, përfshirë Dmitry Medvedev, paralajmëruan hakmarrje ndaj Kievit për atë që e cilësuan një "akt terrorist".
Rasti ka shkaktuar reagime të ashpra në Moskë, ndërsa zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse kritikoi heshtjen e Perëndimit për këtë vrasje. Ukraina, nga ana tjetër, e konsideron eliminimin e figurave të lidhura me krime lufte si një mjet të ligjshëm për mbrojtje.