Një 41-vjeçar grek u mor peng dhe u dhunua në Kostur, një zonë afër kufirit me Shqipërinë, më 15 dhjetor. Viktima, duke besuar, hipi në automjetin që drejtohej nga një 37-vjeçar shqiptar, i cili, nën kërcënimin e armës dhe duke përdorur dhunë, e dërgoi atë në një zonë pyjore të Kosturit.
Në rrethana ende të pasqaruara, greku arriti të lirohej dhe e denoncoi ngjarjen në polici. Forcat e rendit identifikuan makinën e përdorur nga rrëmbyesi, e cila ishte marrë me qira. Ajo u gjet në Kostur, ku brenda ishin një 29-vjeçar grek dhe një 25-vjeçare greke, që drejtonte automjetin. Sipas hetimeve, 29-vjeçari grek kishte marrë makinën me qira dhe ia kishte dhënë shqiptarit për të realizuar pengmarrjen. Pas ngjarjes, policia arrestoi çiftin grek dhe shpalli në kërkim shqiptarin.
Dyshohet se pengmarrja është pjesë e një konflikti lidhur me çështje droge. Më tej, është zbuluar se si 29-vjeçari grek dhe 37-vjeçari shqiptar ishin arrestuar më 11 dhjetor për raste të ndryshme, por u liruan më vonë. Shqiptari kishte një dënim prej 1 viti e 3 muaj burg dhe një gjobë prej 3,000 eurosh për shkelje të ligjit për të huajt dhe falsifikim dokumentesh. Ndërsa greku ishte arrestuar pasi në kontrollin e tij dhe të tre banesave të tij u gjetën sasi droge (marijuanë, hashash dhe kokainë), dy pistoleta, municion dhe para.