Sagë hakmarrjesh? Atentati ndaj shqiptarëve në Athinë dhe vrasja e Roan Brahimit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 17.12.2024, 13:06

Policia greke ka rihapur hetimet për vrasjen e 32-vjeçarit shqiptar, Roan Brahimi, i njohur si Sidorel Prendi ose “Sidi”, i cili u ekzekutua në 9 maj 2024 në Virona të Athinës.

Brahimi u qëllua brenda automjetit të tij dhe dyshohet se atentati i së dielës në Thrakomakedones, ku mbeti i vrarë Irakli Davella dhe u plagos rëndë Edi Lulo mund të ketë me një sagë hakmarrjeje të nisur nga Shqipëria.

Edi Lulo alias Etmond Hysa kishte mbërritur në Greqi nga Dubai më 9 dhjetor, njësoj si Brahimi i cili u ekzekutua pak ditë pasi u kthye nga Dubai.

Nga hetimet është identifikuar një person tjetër që ishte në kafe me Edi Lulon dhe Irakli Davellën. Ky person, i njohur me pseudonimin "Pigmakos" (Boksieri), ka precedentë penalë dhe dyshohet të ketë mbetur i plagosur lehtë gjatë ngjarjes. Policia greke ka nisur kërkimet për gjetjen e tij dhe marrjen e dëshmisë për ngjarjen e rëndë.

Një nga çështjet më të ndërlikuara të hetimit është përfshirja e Irakli Davellës, i cili, përveç se ka një të kaluar të rëndë kriminale në Greqi, ka lidhje me grupe kriminale shqiptaro-greke dhe është i përfshirë në disa ngjarje të dhunshme. Ai ka qenë anëtar i një grupi që merrej gjobëvënie dhe është dënuar për mashtrime dhe aktivitete të tjera kriminale. Dyshohet se ai mbante kontakte me persona të përfshirë në kontrabandën e karburanteve dhe trafikimin e makinave. Policia greke është duke hetuar gjithashtu lidhjet e tij me figura politike dhe oficerë të policisë në Greqi.

Për hetimet e ardhshme, autoritetet greke po fokusohen në 46-vjeçarin Edi Lulo dhe mundësinë që ai të jetë pjesë e grupeve të fuqishme kriminale në Shqipëri, të përfshira në trafik droge dhe ngjarje të tjera të rënda. Policia ka dyshime se mund të kenë qenë edhe të dy viktimat, Edi Lulo dhe Irakli Davella, objektivat e atentatit. Akoma nuk është gjetur automjeti "Polo" që dyshohet të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes dhe që ishte vjedhur disa orë para atentatit në Patisia të Athinës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit