Një grup i strukturuar kriminal, që merrej me rekrutimin e shtetaseve nga Kina dhe sjelljen e tyre në Shqipëri për shfrytëzim në prostitucion, është goditur pas një hetimi nga autoritetet.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Storm”, të zhvilluar në zonën e Plazhit, në Durrës, u arrestua një shtetas kinez, ndërsa dy organizatorë të tjerë, gjithashtu shtetas kinezë, janë shpallur në kërkim. Gjithashtu, për këtë çështje u proceduan penalisht shtatë shtetase nga Kina.
Sipas hetimeve, ky grup kriminal rekrutonte vajza në Kinë dhe, në bashkëpunim me individë nga vende të tjera, i sillte ato në Shqipëri, ku siguroheshin apartamente dhe mjete për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm. Grupi menaxhohej nga një shtetas kinez në Shqipëri, i cili kontrollonte financat dhe i transferonte fitimet jashtë vendit, ndërsa pjesa më e madhe e parave ndaheshin mes grupit dhe vajzave të përfshira.
Gjatë operacionit u sekuestruan para të përfituara nga ky aktivitet, pajisje elektronike dhe dokumente financiare. Materialet procedurale u dorëzuan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.