Sipas statistikave afatshkurtra të INSTAT, ecuria e prodhimit, punësimit dhe shitjeve ka qenë negative për sektorët e industrisë dhe energjisë elektrike, ndërsa sektori i ndërtimit ka vijuar të performojë pozitivisht në tremujorin e tretë të vitit 2024.
Sektori i industrisë ka shënuar një ecuri negative në të gjithë treguesit për këtë periudhë, si pasojë e krizës së shumëfishtë që po përjeton, e lidhur me rënien e euros dhe kërkesën e ulët në tregjet ndërkombëtare. Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi një rënie prej 2,8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa indeksi i prodhimit në volum ra me 4,6%. Po ashtu, indeksi i numrit të të punësuarve shënoi një rënie vjetore prej 5,5%, ndërkohë që indeksi i fondit të pagave shënoi një rritje të lehtë prej 1,2%, sipas Monitor.
Edhe sektori i energjisë ka regjistruar një ecuri negative, duke shënuar rënie si në volum të prodhimit ashtu edhe në punësim. Sipas të dhënave të INSTAT, indeksi i shitjeve neto në volum ra me 7,3%, ndërsa indeksi i prodhimit në volum pësoi një rënie vjetore prej 5,4%. Gjithashtu, indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rënie me 5,8%. Në kontrast, fondi i pagave për këtë sektor shënoi një rritje prej 9,2%, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Ndërkohë, në aktivitetet e furnizimit me ujë, trajtimit dhe menaxhimit të mbetjeve, indeksi i shitjeve neto në volum shënoi një rritje prej 8,5%, ndërsa indeksi i prodhimit në volum u rrit me 8,1%. Në këtë sektor, indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rënie prej 1,2%, por indeksi i fondit të pagave shënoi një rritje prej 5,6%.
Nga ana tjetër, sektori i ndërtimit ka vijuar të performojë pozitivisht gjatë tremujorit të tretë të vitit 2024. Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi një rritje prej 9,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa indeksi i prodhimit në volum u rrit me 5,6%. Edhe treguesit e punësimit në këtë sektor kanë shënuar rritje, ku indeksi i numrit të të punësuarve u rrit me 1,1%, ndërsa fondi i pagave shënoi një rritje të konsiderueshme prej 9,7%.