Shqiptari i sapo ardhur nga Dubai shënjestër e atentatit në Greqi, identifikohet i arratisuri

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 17.12.2024, 08:52

Hetimet për atentatin që ndodhi ditën e djelë në Athinë, ku mbeti i vrarë 47-vjeçari Irakli Davella dhe u plagos rëndë 46-vjeçari Edi Lulo, kanë marrë një kthesë të papritur.

Policia ka identifikuar një prej dy personave që ishte prezent në momentin e të shtënave dhe është larguar shpejt nga vendi i ngjarjes. Sipas burimeve, bëhet fjalë për një person me precedentë penalë në Greqi, i përfshirë në çështje gjobëvënie dhe vjedhje. Dyshohet se ai mund të ketë pësuar lëndime të lehta gjatë atentatit dhe aktualisht po kërkohet nga autoritetet greke për të dhënë dëshminë e tij.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se objektiv i atentatit ishte Edi Lulo, i cili është identifikuar më vonë si Etmond Hysa, një person i dënuar më parë për ngjarje të ndryshme kriminale, përfshirë një grabitje të vitit 2011, ku u mbajtën peng disa avokatë në Athinë dhe u grabitën 405.000 euro. Hysa, pas vuajtjes së dënimit, është riatdhesuar në Shqipëri, ku ka jetuar së fundmi në Dubai dhe ka mbërritur në Greqi më 9 dhjetor me identitetin Edi Lulo. Ai rezulton gjithashtu të jetë i regjistruar në Shqipëri si pronar i një biznesi në Durrës.

Policia greke po punon ngushtë me autoritetet shqiptare për të mbledhur më shumë informacione lidhur me konflikte të mundshme të Edi Lulo dhe për të zbuluar arsyen e mbërritjes së tij në Greqi. Mësohet se Lulo dhe Davella, para ngjarjes, po pinin kafe me dy persona të tjerë. Ngjarja ka ndodhur kur ata po drejtoheshin për te automjetet e tyre, dhe sapo janë nisur të shtënat, personi i tretë është larguar menjëherë.

Ndërkohë, gjendja e Edi Lulo, i cili ka pësuar plagë të rënda në kokë dhe bark, është shumë e rëndë dhe ai ndodhet në trajtim mjekësor.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit