“Mjaft punësuat njerëz”, posterat e kompanisë AI shkaktojnë zemërim në SHBA

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 16.12.2024, 23:14

Një startup i Inteligjencës Artificiale i quajtur Artisan ka ngjallur reagime të forta për shkak të një fushatë të pazakontë reklamuese në San Francisco të SHBA-së.

Billboard-et në qytet mbajnë mesazhe provokuese si: “Mjaft punësuat njerëz”, të shoqëruara nga imazhe të një gruaje të krijuar nga AI, e quajtur “Ava.”

Artisan, që ofron agjentë shitjesh të automatizuar përmes AI-së, përdor gjithashtu slogane të tilla si:“Artisan nuk do të ankohet për balancën mes punës dhe jetës”, “Kamerat e Zoom të Artisan-it nuk do të ‘pushojnë së funksionuari’ sot,” të cilat shoqërohen nga deklarata si: “Epoka e Punonjësve të AI-së ka mbërritur.”

Megjithatë, slogani “Mjaft punësuat njerëz” ka shkaktuar zemërimin më të madh. Billboard-et e mëdha dhe posterat janë shpërndarë gjerësisht, shpesh pranë skenave që theksojnë problemet sociale të qytetit, si varfëria dhe mungesa e strehimit.

Reagimet online kanë qenë të zjarrta. Disa përdorues në rrjetet sociale e kanë quajtur fushatën një “makth distopik,” ndërsa të tjerë janë shprehur me ironi: “Çfarë po bëjmë si specie?”.

Një moment që ka shkaktuar veçanërisht indinjatë është një imazh ku pranë një pankarte të Artisan-it shihet një burrë i pastrehë. Në një qytet si San Francisko, ku kriza e strehimit dhe varfëria janë sfida të mëdha, mesazhi i kompanisë është parë si cinik dhe i pandjeshëm.

Një poster i Artisan-it në një stacion autobusi është grisur dhe vandalizuar nga qytetarët.

Jaspar Carmichael-Jack, 23-vjeçari që drejton Artisan-in, e pranoi se mesazhet janë disi distopike, por mbrojti fushatën si një mënyrë për të tërhequr vëmendjen.

“E di që tingëllon distopike, por kështu po ndryshon bota,” tha ai për SFGate.

Fushata e Artisan-it ka ngritur një debat mbi qëllimet reale të industrisë së teknologjisë dhe qëndrimin e saj ndaj punonjësve njerëz.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit