Një 36-vjeçar shqiptar u arrestua të dielën në Austri, pasi iu gjetën 12 kilogramë kokainë të fshehura në automjetin e tij.
Lënda narkotike, e cila ishte e ndarë në 12 pako, u konfiskua gjatë një kontrolli të detajuar nga policia, ndërkohë që identeti i shqiptarit nuk është bërë i ditur.
Sipas autoriteteve, sasia e drogës e sekuestruar arrinte një vlerë prej 1.2 milionë euro nëse do të shitej në tregun e zi.
Automjeti, i cili kishte targa gjermane, drejtohej nga shqiptari me banim në Itali. Ai po udhëtonte nga veriu drejt jugut të Tirolit, kur u ndalua për kontroll në autostradën Brenner (A13).
Kreu i departamentit të emigracionit dhe policisë kufitare, Harald Baumgartner, tha se drejtuesi i mjetit dha deklarata kontradiktore mbi qëllimin dhe destinacionin e udhëtimit të tij, duke ngritur dyshime të forta për aktivitet të paligjshëm.
Pas konsultimeve me autoritetet gjermane, u vendos që automjeti të sekuestrohej dhe të kontrollohej imtësisht në stacionin e policisë në Brenner, ku dhe zbulua droga e fshehur.
Sipas drejtuesit të policisë së shtetit, Helmut Tomac, shqiptari ka preferuar të mos japë shumë detaje deri më tani dhe ndodhet në paraburgim. Hetimet për të zbuluar nëse ai është pjesë e një rrjeti më të madh apo nëse ka bashkëpunëtorë, janë ende në fazat fillestare.
Ky rast përbën një nga sasitë më të mëdha të kokainës të konfiskuara nga autoritetet austriake deri më sot.