Disa dronë misteriozë janë parë duke fluturuar natën mbi disa zona të Nju Xhersit dhe në pjesë të tjera ndërmjet shteteve verilindore dhe juglindore të SHBA-së.
Çfarë po ndodh me dronët në Nju Xhersi?
Dhjetëra dëshmitarë kanë raportuar se i kanë parë dronët që nga mesi i nëntorit.
Fillimisht, i vunë re duke fluturuar përgjatë lumit Raritan, i cili furnizon rezervuarin Round Valley, akuiferi më i madh i shtetit, rreth 80 kilometra në perëndim të Nju Jorkut.
Por, së shpejti, raportime për dronët u shfaqën në të gjithë shtetin, përfshirë afër Arsenalit Picatinny, një qendër kërkimore dhe prodhuese ushtarake, si dhe mbi fushën e golfit të Presidentit të zgjedhur, Donald Trump, në Bedminster.
Pajisjet fluturuese, gjithashtu, janë parë së fundmi në zona bregdetare. Republikani Chris Smith tha se një oficer komandues i Rojës Bregdetare i kishte thënë atij se në fundjavë, dymbëdhjetë dronë ndoqën nga afër një varkë shpëtimi.
Zyrtarët federalë po insistojnë se dronët nuk paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare ose atë publike.
Shtëpia e Bardhë organizoi një telefonatë me gazetarët, ku zyrtarët e lartë të FBI-së, Pentagonit, FAA-së dhe agjencive të tjera u përpoqën të qetësonin publikun në lidhje me dronët.
Kongresisti i Nju Xhersit dhe disa përfaqësues të tjerë, kanë kërkuar masa më agresive, përfshirë përdorimin e forcës për të rrëzuar dronët për zbuluar origjinën e tyre, por kjo nuk është mbështetur nga administrata e Bidenit.
Kryetari i Monmouthit, Shaun Golden, tha se njerëzit nuk duhet ta marrin këtë detyrë dhe të qëllojnë mbi dronë, pasi kjo do të shkelte ligjet shtetërore dhe federale.
Dronët janë parë duke fluturuar edhe mbi Nju Jork
Kryetari Eric Adams tha se qyteti po e heton rastin dhe po bashkëpunon me Nju Xhersin dhe zyrtarët federalë.
Guvernatorja Kathy Hochul tha se 100 kilometra në veri të qytetit, pistat e Aeroportit Ndërkombëtar Stewart u mbyllën për rreth një orë të premten në mbrëmje, prej dronëve në hapësirën ajrore.
Guvernatorja i bëri thirrje Kongresit të forcojë mbikëqyrjen e FAA-së mbi dronët dhe të japë më shumë autoritet hetues për forcat shtetërore dhe lokale të rendit.
Kush i dërgoi dronët?
Autoritetet nuk kanë një përgjigje lidhur me këtë pyetje. FBI-ja, Siguria e Brendshme dhe policia shtetërore po e hetojnë rastin. Autoritetet thonë se nuk e dinë nëse është një dron që është parë shumë herë apo nëse ka pajisje të shumta që fluturojnë në mënyrë të koordinuar.
Spekulime të ndryshme kanë shpërthyer në internet. Disa prej tyre shprehin shqetësimin se dronët mund të jenë pjesë e një komploti dashakeq nga agjentë të huaj.
Zyrtarët theksojnë se hetimet shtetërore dhe federale nuk kanë gjetur asnjë dëshmi që i mbështet këto spekulime, por republikani Smith të shtunën përsëriti një spekulim të tillë.
“Manovrimi i fshehtë i këtyre dronëve sugjeron për një fuqi ushtarake të sofistikuar që ngre pyetjen nëse janë dërguar për të testuar kapacitetet tona mbrojtëse — ose më keq — nga regjime të dhunshme, ndoshta mund të jenë Rusia, Kina, Irani, ose Koreja e Veriut”, tha ai.
Zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh, tha të mërkurën se nuk janë dronë të ushtrisë amerikane.
Fluturimi i dronëve për përdorim rekreativ dhe komercial është i ligjshëm në Nju Xhersi, por u nënshtrohet rregullave lokale dhe rregulloreve të Administratës Federale të Aviacionit. Në Nju Jork, kërkohet një leje për të ngritur ose ulur një aeroplan pa pilot, dhe operacionet duhet të jenë të certifikuara nga FAA.
Gjithashtu, dronë janë raportuar në Virxhinia dhe Masaçusets. Në Virxhinia, dy persona panë një dron pranë plazhit që fluturoi mbi një instalacion të Rojës Kombëtare pa zhurmë. Në Masaçusets, 10 deri në 15 dronë janë parë mbi një shtëpi në Cape Cod.