Gjykata e Fierit ka vendosur masën e sigurisë arrest në burg për 17-vjeçarin B.D., i cili akuzohet për plagosjen me thikë të një bashkëmoshatari në oborrin e shkollës së mesme “Mustafa Hoxha” në Cakran. Avokati mbrojtës ka kërkuar masën arrest në shtëpi.
Ngjarja ndodhi pas një konflikti të çastit, ku adoleshenti e goditi katër herë shokun e klasës me një mjet prerës. Para trupit gjykues, i mituri deklaroi: “Nuk jam në gjendje të flas, jam në ankth”. Vendimi u dha nga gjyqtarja për të mitur Klodiana Kryeziu, ndërsa prokurorja Oliana Gjergjefi, e pranishme në shkollë ditën e ngjarjes, ka garantuar një hetim të plotë dhe të gjithanshëm.
I mituri u arrestua menjëherë pas ngjarjes dhe akuzohet për “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”. Ndërkohë, dyshohet se ai vuan nga probleme të shëndetit mendor, por ende nuk dihet nëse kjo do të merret në konsideratë gjatë procesit gjyqësor. Sipas dëshmisë së të plagosurit, konflikti mes tyre kishte nisur një muaj më parë për shkak të disa fotove të publikuara në rrjetet sociale. I plagosuri ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.