Së shpejti pritet të paguajmë më shtrenjtë për kafenë në bare

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 16.12.2024, 10:25

Çmimi i kafesë në bursat ndërkombëtare ka arritur nivele rekord. Përshpejtimi i rritjes së çmimeve në tregjet e huaja, që nga prilli 2024, ka çuar në shtrenjtimin e kafesë në bare, një tendencë që pritet të prekë edhe konsumatorët shqiptarë vitin e ardhshëm. Çmimet e kafesë, veçanërisht të robustës, janë rritur ndjeshëm dhe kjo do të reflektohet edhe në baret vendase duke nisur nga furnizimet e reja në shkurt.

Çmimi i robustës, që zë pjesën më të madhe të prodhimit dhe përdorimit në Shqipëri, është më i ulët se ai i arabicës, e cila blihet më shtrenjtë në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, rritja e çmimeve do të prekë të dyja llojet e kafesë. Sipas Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, një rritje nga 10 deri në 20 lekë është reflektuar tashmë që vitin e kaluar, e ndikuar nga kostot e importit dhe rritja e pagave të punonjësve, sipas Monitor.

Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se për periudhën janar-tetor janë importuar 6,994 tonë kafe, një rënie prej 5,3% krahasuar me vitin e kaluar. Aktualisht, në vend janë rreth 15,5 mijë bare, një rënie nga 22 mijë që ishin në vitin 2015, duke e bërë këtë aktivitetin e dytë më të përhapur pas biznesit të pakicës.

Në bursat ndërkombëtare, çmimi i një ton kafe robusta më 13 dhjetor ishte 5,194 USD, ndërsa më 29 nëntor arriti kulmin me 5,409 USD, një rritje e konsiderueshme krahasuar me prillin 2023, kur çmimi ishte 2,300 USD për ton. Po ashtu, çmimi i arabicës ka arritur 6,724 USD për ton, një rritje prej 54,6% krahasuar me nëntorin 2023.

Rritja e çmimeve lidhet kryesisht me problemet e prodhimit në Brazil, ku thatësira e muajve gusht-shtator dhe reshjet e dendura në tetor dëmtuan të mbjellat, duke ndikuar në uljen e prodhimit për vitin 2025.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit