Një ankesë lidhur me gjendjen e rrugës kryesore të lagjes "11 Janari" në Vlorë ka mbërritur në redaksinë tonë.
Qytetarët shprehen se gjendja e keqe e kësaj rruge po shkakton vështirësi për kalimtarët dhe automjetet. Banorët kanë paraqitur disa herë kërkesa pranë Bashkisë së Vlorës për të përmirësuar gjendjen e rrugës, por pa marrë asnjë rezultat konkret. Sipas tyre, kërkesat me shkrim që kanë dorëzuar janë lënë pas dore dhe përfunduar në koshin e mbeturinave.
Qytetarët kërkojnë urgjentisht ndërhyrjen e Bashkisë së Vlorës për të adresuar problemet e infrastrukturës. Ata apelojnë për angazhim nga ana e autoriteteve lokale për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për t’u përgjigjur kërkesave të shprehura disa herë.
"Ndodhemi në lagjen 11 janari në Vlorë dhe kemi shumë problem rrugën kryesore të lagjes dhe asnjë nga Bashkia nuk kujtohet dhe pse kemi bërë disa herë kërkesë, por nuk na pranojnë në Bashki. Na thonë të bëjmë kërkesë me shkrim. Kemi bërë disa herë, por asnjë zgjidhje. E kemi shumë problem këtë rrugë, si për mjetet, por më kryesorja fëmijët, të cilët vijnë gjithmonë nga shkolla me këmbët e lagura në ditët me shi. Në lagje jetojnë më shumë se 200 familje. Kërkesat me shkrim që kemi bërë disa herë pranë Bashkisë së Vlorës kanë përfunduar në koshin e mbeturinave."