Një 41-vjeçar nga fshati Bajzë i Shkodrës, Robert Linadi, u arrestua nga policia spanjolle bashkë me një bullgar dhe një maroken, të dyshuar për kryerjen dhe planifikimin e grabitjeve në Majorka, Spanjë.
Sipas policisë spanjolle, grupi kishte kryer vjedhje në disa zona të ndryshme, si Marratxí, Port d’Andratx, Palma, Calvià dhe Cala Rajada. Ata grabisnin kryesisht shtëpitë e banuara. Më 27 nëntor, në lagjen Son Ramonell të Marratxí, hajdutët grabitën orë, para, bizhuteri dhe sende personale.
Të mërkurën e kaluar, policia spanjolle arrestoi tre anëtarët e grupit gjatë kontrollit të shtëpive në Génova dhe Cala Major. Grupi, sipas Gardës Civile, kishte planifikuar me kujdes një fushatë grabitjesh për Krishtlindje, duke përfituar nga udhëtimet e pronarëve gjatë kësaj periudhe.
Hetuesit gjetën gjatë kontrolleve një kasafortë të vjedhur në Marratxí, si dhe 50 orë, shumë bizhuteri, telefona celularë dhe rreth 3500 euro në para cash, të cilat i përkisnin viktimave të grabitjeve.
Kush është Robert Linadi
Robert Linadi, të cilit i është ndaluar hyrja në disa vende evropiane për incidente të ngjashme, ka kryer 17 vjet burg për vrasjen me thikë të 30-vjeçarit Xhevahir Demaj nga Malësia e Madhe në një koncert me 400 pjesmarrës në veri të Londrës në vitin 2004.
Në vitin 2003 ai së bashku me disa djem të tjerë nga Shkodra, morën peng në një shtëpi publike në Perëndim te Londrës në lagjen Acton një shtetase shqiptare. Ata i kërkonin tutorit të saj një shumë prej 30 mijë paundësh në këmbim të lirisë së saj. Pas disa ditë survejimi Linadi dhe miqtë e tij rrëmbyes u arrestuan nga skuadra e pengmarrjes pranë Scotland Yardit. Por, Robert Linadi do të fitonte lirinë pas tetë muaj qëndrimi në qeli pasi gjykatësi e cilësoi dëshminë e të rrëmbyerës jo të sinqertë pasi ajo nuk tregoi në gjykatë se kishte punuar më parë si prostitutë në Itali.