Sot, më 14 dhjetor 2024, veteranët e UÇK-së dhe qytetarë të shumtë u mblodhën në shtigjet e lirisë në Pashtrikun legjendar, për të nderuar 26-vjetorin e rënies heroike të Komandant Muj Krasniqit – Kapuçit dhe 41 dëshmorëve të tjerë.
Kjo ditë, që shënoi humbjen më të madhe gjatë luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot përkujtohet si një nga datat më të lavdishme, duke simbolizuar sakrificën për lirinë e popullit të Kosovës.
Ngjarja e dhimbshme e 26 viteve më parë është kthyer në frymëzim për brezat e rinj, duke qenë një motiv për ata që sot mbrojnë shtetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Në përvjetorin e 6-të të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, kjo ditë merr një domethënie edhe më të madhe, duke rikujtuar që liria e Kosovës erdhi përmes gjakut dhe sakrificës së dëshmorëve.
Me nderime të larta dhe përulësi, të pranishmit përkujtuan heroizmin e Muj Krasniqit dhe dëshmorëve të tjerë, duke përsëritur zotimin për të ruajtur dhe mbrojtur shtetin e Kosovës.