Një ngjarje e rëndë ka ndodhur një ditë më parë në një gjimnaz në Cakran të Fierit, ku një 17-vjeçar ka plagosur me thikë një bashkëmoshatar pas një konflikti mes tyre. Konflikti ka nisur për shkak të disa fotove të publikuara në rrjetet sociale nga autori i ngjarjes, për të cilat i plagosuri i kishte kërkuar shpjegime.
Gjyshja e autorit ka deklaruar për mediat se nipi i saj vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe ishte nën trajtim mjekësor. Ajo shtoi se dy nipërit e saj janë rritur prej saj, pasi nëna e tyre i kishte braktisur.
“Fatmirin e ka lënë gruaja dhe unë i kam rritur dy djemtë, sepse ai duhej të gjente punë për të mbajtur familjen,” – tha ajo. Gjyshja tregoi gjithashtu se një ditë para ngjarjes, nipi i saj ishte thirrur nga 5-6 persona që i kishin marrë telefonin. Ajo pretendon se njëri prej tyre, i plagosuri, e kishte qëlluar nipin me shkelm.
Ndërkohë, babai i autorit të plagosjes ka vizituar spitalin për t’i kërkuar falje familjes së të lënduarit dhe vetë të riut. Ai konfirmoi se djali i tij vuan nga sëmundje mendore dhe ka qenë në trajtim edhe në Tiranë, por mjekimi ishte ndërprerë.