Për herë të parë janë përllogaritur çmimet mesatare të shitjes së banesave për çdo zonë kadastrale në Tiranë, 60 bashki të tjera dhe 23 njësi administrative në shkallë vendi.
Çmimet mesatare të tregut të lirë janë publikuar në Fletoren Zyrtare dhe do të hyjnë në fuqi pas botimit të urdhrit të Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Enti Kombëtar i Banesave (EKB) bëri të ditur se këto çmime do të shërbejnë si referencë për vlerësimin e blerjes apo ndërtimit të banesave sociale, si dhe për përcaktimin e kufirit maksimal të kredive të zbutura nga shteti.
Sipas EKB-së, këto çmime ndihmojnë në vendimmarrjen për ndërtimin ose blerjen e banesave në territorin e njësive të vetëqeverisjes vendore. Gjithashtu, ato shërbejnë si nivel reference për përcaktimin e kufijve të kreditimit, masën e subvencioneve të interesave të kredisë dhe lehtësimin e procedurave për kreditimin e familjeve që përfitojnë banesa me kosto të ulët.
Në Tiranë, çmimi mesatar i shitjes në tregun e lirë është 124,316 lekë për metër katror, ndërsa në zonat kadastrale të Bashkisë së Tiranës janë përcaktuar çmime të ndryshme. Në Durrës, çmimi mesatar është 71,157 lekë për metër katror, në Vlorë 68,680 lekë, në Sarandë 88,050 lekë dhe në Fier 55,375 lekë për metër katror.
Në disa njësi administrative, çmimet mesatare janë: Farkë 157,000 lekë për metër katror, Dajt 82,280 lekë, Ishëm 93,000 lekë dhe Dhërmi 186,400 lekë për metër katror.
Përllogaritja e këtyre çmimeve është bazuar në metodologjinë e miratuar me udhëzimin nr. 1, datë 17.03.2023. Metodologjia përcakton që mesatarja e çmimeve llogaritet si mesatare aritmetike e çmimeve për metër katror, duke përjashtuar grupin më të lartë të çmimeve kur ato janë më shumë se 1.3 herë mbi mesataren e grupeve të tjera.