“Të na japin lekët”, punonjësit e emergjencës në Tiranë kërkojnë të drejtat e tyre

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 12.12.2024, 18:22

Punonjësit e shërbimit të emergjencave nr.112, 126 dhe 129 kanë ngritur shqetësimin lidhur me kushtet në vendin e punës. Sipas tyre, që prej ndarjes nga Policia e Shtetit, ata përballen me një situatë ekonomike dhe profesionale të rënduar. Punonjësit civilë nuk përfitojnë shtesa për vështirësi pune dhe as rritje page. Rrogat e tyre variojnë nga 48,000 deri në 52,000 lekë të reja, të cilat konsiderohen të pamjaftueshme për të përballuar nevojat bazë.

Një tjetër problem që rëndon situatën është detyrimi për të blerë vetë uniformat, një shpenzim që shkon deri në 15,000 lekë të reja. Punonjësit pretendojnë se nuk marrin uniforma nga magazinat e shtetit dhe përballen me kërcënime për largim nga puna nëse nuk përmbushin këtë detyrim financiar.

Punonjësit e shërbimit të emergjencave kanë bërë kërkesa zyrtare drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme, por raportojnë se janë anashkaluar dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ata theksojnë se nuk po kërkojnë asgjë më shumë sesa të drejtën e tyre.

Mesazhi i qytetarit:

Ne jemi punonjës të numrave të emergjencës (policia) 112, 126 dhe 129. Prej një viti po përballemi me një problem të madh, të cilit ende nuk i është dhënë zgjidhje. Nuk po na japin lekët e bukës pasi jemi ndarë nga policia, pasi jemi civilë. Për pasojë, nuk përfitojmë shtesa për vështirësi pune, rritje rroge apo përfitime të tjera.

Së fundmi, jemi detyruar me urdhër të blejmë vetë kostume, të cilat kushtojnë minimumi 15,000 lekë të rinj (150,000 lekë të vjetra). Ndërkohë, paga jonë me tre turne shkon në 48,000 lekë (480,000 lekë të vjetra), ndërsa punonjësi më i vjetër merr 51,000-52,000 lekë (510,000-520,000 lekë të vjetra).

Uniformat që duhet të na sigurohen nga magazina e shtetit na kërkohet t’i blejmë vetë. Nëse nuk i blejmë, kërcënohemi me largim nga puna ose me pezullim.

Kemi bërë një kërkesë me shkrim drejtuar Ministrisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme, por ajo është anashkaluar, pa asnjë përgjigje.

Ju drejtohemi juve publikisht me shpresën se do të merren masa dhe do të na jepet ajo që na takon me të drejtë. Nuk po kërkojmë asgjë më shumë veç hakut tonë. Të na japin lekët e bukës së gojës, se nuk po na i japin që kur kemi filluar punë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit