Përqindja e personave mbi 16 vjeç që konsideroheshin mbipeshë (përfshirë kategoritë para-obezë dhe obezë) në vitin 2022 ishte 50.6% në Bashkimin Europian, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Eurostat. Në këtë grup përfshihet edhe Shqipëria, ku 56.5% e popullsisë mbi këtë moshë rezulton të jetë mbipeshë. Ky tregues e rendit Shqipërinë në vendin e 11-të në Europë, duke u klasifikuar si një ndër vendet me nivelin më të lartë të mbipeshës dhe obezitetit në kontinent. Në hartën e Eurostat, Shqipëria përfaqësohet me ngjyrën blu, e cila simbolizon nivelet më të larta të këtij fenomeni.
Në rang europian, vendi me përqindjen më të lartë të popullsisë mbipeshë është Malta, ku 62% e banorëve mbi 16 vjeç konsiderohen mbipeshë. Pas Maltës, vendet me tregues të lartë për këtë fenomen janë Finlanda (59.5%), Letonia (59.2%), Rumania (58.9%), Lituania (58.5%), Polonia (57.8%), Hungaria (57.5%), Sllovakia (57.5%), Kroacia (57.2%), Turqia (57.1%) dhe Shqipëria (56.5%).
Në kontrast, vendet me përqindjen më të ulët të popullsisë mbipeshë janë Italia, me vetëm 41.3%, Zvicra me 45.2% dhe Franca me 45.4%. Këto vende kryesojnë si më "elegantët" e Europës, sipas klasifikimit të bërë nga Eurostat.
Në rajonin e Ballkanit, Mali i Zi është ndër vendet me treguesin më të ulët të mbipeshës (47%). Në Serbi, ky tregues është 51.8%, ndërsa për shtetet e tjera të rajonit të dhënat mungojnë. Megjithatë, sipas raportimeve të mëparshme, Maqedonia e Veriut e kishte këtë tregues në nivelin 55% gjatë vitit 2017.
Në Shqipëri, diferenca midis gjinive është e dukshme. Sipas të dhënave, 62.3% e meshkujve shqiptarë mbi 16 vjeç konsiderohen mbipeshë, duke qenë ndër më të lartët në Europë. Nga ana tjetër, 50.9% e femrave shqiptare rezultojnë të jenë mbipeshë. Meshkujt më të shëndoshë në Europë ndodhen në Maltë dhe Sllovaki, ku 69.4% e tyre janë mbipeshë, ndërsa më elegantët janë francezët me vetëm 51.5%. Për femrat, përqindja më e ulët e mbipeshës gjendet në Itali (31.3%) dhe Mal të Zi (34.6%), ndërsa femrat më të shëndosha janë në Letoni (56.7%) dhe Turqi (55.2%).
Të dhënat e Eurostat bazohen në indeksin e masës trupore (BMI), i cili është një metodë standarde për të kategorizuar peshën e një individi bazuar në masën trupore dhe lartësinë. Indeksi BMI ndan popullsinë në disa kategori: nënpeshë (BMI më pak se 18.5), peshë normale (BMI nga 18.5 deri në më pak se 25), para-obezë (BMI nga 25 deri në më pak se 30) dhe obezë (BMI 30 ose më shumë). Kategoria e mbipeshës përfshin individët para-obezë dhe obezë, duke filluar nga një BMI prej 25 ose më shumë.