Ditën e djeshme, datë 10 dhjetor është shënuar një 'rekord të zi' për qarkun e Elbasanit pasi brenda 24 orëve janë shënuar 5 aksidente me 14 të lënduar.
Aksidenti i parë ka ndodhur në aksin rrugor “Librazhd-Qafë Thanë", ku 45-vjeçari me iniciale R.M është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin D. K., 37 vjeç. Si pasojë e aksidentit është dëmtuar një pasagjer në automjetin me drejtues shtetasin D. K., i cili është në kujdesin e mjekëve. Pas hetimeve në vendin e ngjarjes, policia ka arrestuar shoferin 45-vjeçar.
Aksidenti i dytë ka ndodhur në mbrëmje në aksin rrugor “Librazhd-Prrenjas”, ku 56-vjeçari me iniciale Z.F duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. A., 51 vjeç, banues në Gostivar, Maqedonia e Veriut. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar 2 drejtuesit e automjeteve dhe 4 pasagjerë në automjetin me drejtues shtetasin A. A., të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Pas hetimeve në vendin e ngjarjes shoferi i dehur është arrestuar.
Një aksident tjetër ka ndodhur në fshatin Bradashesh, ku 46-vjeçari me iniciale P.Z ka përplasur këmbësoren, shtetasen S. Sh., 64 vjeçe, dhe është larguar nga vendi i aksidentit. 64-vjeçarja është jashtë rrezikut për jetën.
Në aksin rrugor "Elbasan-Librazhd", 54-vjeçari me iniciale I.K duke drejtuar automjetin e tij është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin V. K., 35 vjeç. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar 2 drejtuesit e automjeteve, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë që aksidenti i fundit ka ndodhur në aksin problematik "Elbasan-Peqin". 34-vjeçarja me iniciale V.V është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin S. K., 32 vjeç. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar 2 drejtuesit e automjeteve dhe 2 pasagjerë në këto automjete, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.