Engjëll Cani, babai i Martin Canit, i cili u vra pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, është marrë në pyetje për herë të parë këtë të mërkurë në lidhje me ngjarjen.
Deklaratat e tij janë dhënë në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, si pjesë e hetimeve të drejtuara nga Prokuroria e Kryeqytetit. Sipas tij, nuk kishte marrë njoftime nga shkolla apo institucionet e tjera për një konflikt midis të birit dhe autorit të dyshuar të vrasjes, Mario Përlleshaj, që kishte ndodhur katër ditë para ngjarjes.
Ai ka deklaruar se familja e autorit të dyshuar nuk e ka kontaktuar pas ngjarjes. Sipas tij, bashkëshortja kishte marrë një telefonatë nga shkolla për incidentin, por përpjekjet për të kontaktuar stafin e shkollës nuk kanë pasur rezultat. Ai ka mësuar për ngjarjen kur ka mbërritur në spital.
Të mërkurën, Engjëll Canit i janë dorëzuar sendet personale të djalit, përfshirë çantën e shkollës, e cila ishte sekuestruar në vendin e ngjarjes.
Mario Përlleshaj ndodhet në masën e sigurisë “Arrest në burg” dhe pret vendimin e Apelit, pasi ka kundërshtuar vendimin e Shkallës së Parë duke pretenduar se veprimi ishte kryer në kushtet e vetëmbrojtjes.