Një ngjarje e rëndë ka tronditur Durrësin pasi Majlind Habibi akuzohet se ka shtyrë shokun e tij, Branko Shkoza, në kanalin e ujërave të zeza, duke shkaktuar vdekjen e tij. Ngjarja ka ndodhur më 2 dhjetor 2024, në zonën e Spitallës.
Babai i viktimës, më datë 4 dhjetor, ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Durrës se djali i tij, 33-vjeçari Shkoza, kishte humbur kontaktet dhe ishte larguar nga banesa pa lënë asnjë gjurmë. Pas disa kërkimesh, më 5 dhjetor, forcat e rendit kanë gjetur trupin e pajetë të viktimës, i cili ishte i zhytur në kanal.
Nga këqyrja e trupit të viktimës nuk u konstatuan shenja dhune, por hetimet e mëtejshme kanë çuar në përfundimin se ngjarja nuk ishte aksidentale. Provat shkencore kanë vërtetuar se autori, Majlind Habibi, ka shtyrë Shkozën nga ura, duke e hedhur në kanal. Dyshohet se shkaku i konfliktit ishte një grindje mes të dyve, për motive të dobëta, ku Habibi ka pretenduar se viktima e kishte ngacmuar gruan e tij.
Aktualisht, hetimet janë në vazhdim dhe po punohet për zbardhjen e plotë të motiveve të ngjarjes, ndërkohë që autoritetet kanë arrestuar Majlind Habibin.