Detaje të reja janë zbardhur nga sherri i ndodhur mes disa të miturve ditën e djeshme para Pallatit të Sporteve "Asllan Rusi", pas përfundimit të një loje basketbolli.
Dy grupe tifozerish, njëri që ishte para godinës dhe tjetri që po vinte drejt pallatit, janë përfshirë në konflikt. Tifozët e njërit grup kanë ndezur flakadanë dhe shashka, duke acaruar grupin tjetër, dhe kjo ka shkaktuar tension mes tyre.
Në këto momente një prej të miturve ka përdorur një shkop për të nisur konfliktin, ndërsa një tjetër ka hequr rripin e pantollonave dhe ka filluar sherrin. Për fat të mirë, patrullat e policisë kanë ndërhyrë në kohë dhe kanë arritur të ndajnë të rinjtë.
Pas shoqërimit të të miturve në komisariat dhe kontrolleve në oborrin e pallatit, janë gjetur tre thika, të cilat nuk janë përdorur gjatë sherrit, por janë sekuestruar për ekspertim. Si pasojë e konfliktit, dy të mitur, një 10-vjeçar dhe një 14-vjeçar, kanë mbetur të lënduar. Aktualisht, tre të mitur janë në hetim për ngjarjen.