Jay Z akuzohet për përdhunimin e një 13-vjeçareje

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 09.12.2024, 09:46

Reperi miliarder, i cili është i martuar me yllin e popit Beyoncé, i cilëson akuzat si “të tmerrshme”, e duke shtuar se janë një “përpjekje për shantazh”.

Ai është akuzuar në një padi civile për përdhunimin e një 13-vjeçareje së bashku me yllin e hip-hop-it Sean “Diddy” Combs në vitin 2000, sipas dokumenteve të gjykatës, një akuzë që artisti e ka mohuar fuqimisht.

Një ankesë civile e përditësuar, e paraqitur të dielën, pretendon se Jay-Z, emri i vërtetë i të cilit është Shawn Carter, dhe P Diddy Combs, përdhunuan vajzën në një after-party pas ndarjes së çmimeve MTV Video Music Awards në shtator të vitit 2000.

“Një tjetër personazh i famshëm ishte aty duke parë teksa Combs dhe Carter sulmonin seksualisht të miturën me radhë. Shumë të tjerë ishin të pranishëm në partyn pas çmimeve, por nuk bënë asgjë për ta ndaluar sulmin,” thuhet në ankesë.

Combs, i njohur gjithashtu si Diddy, ndodhet aktualisht në burg, i akuzuar për trafikim seksual dhe përfshirje në orgji me të mitura.

Jay-Z fillimisht ishte identifikuar në padinë kundër Combs si “Ylli A”. Emri i paditëses nuk përmendet në padi.

Jay-Z reagoi ashpër ndaj avokatit që po ndjek çështjen, duke e quajtur një “njeri të neveritshëm”.

“Avokati im mori një përpjekje për shantazh, të quajtur letër kërkese, nga një ‘avokat’ me emrin Tony Buzbee.

Llogaritë e tij ishin se natyra e këtyre akuzave dhe vëmendja publike do të më bënte të doja të bëja një marrëveshje. Jo, zotëri, ndodhi e kundërta! Më bëri të të ekspozoj si mashtrues që je,” thuhet në një deklaratë të publikuar në X nga kompania diskografike e Jay-Z, Roc Nation.

“Këto akuza janë aq të tmerrshme në natyrën e tyre saqë ju lutem të ngrini një padi penale, jo civile!! Kushdo që do të kryente një krim të tillë kundër një të mituri duhet të dënohet me burgim; a s’jeni dakord? Nëse ky do të ishte rasti, këto viktima të pretenduara do të meritonin drejtësi të vërtetë.”

Buzbee, avokati që ka ngritur padinë kundër Jay-Z, i tha agjencisë së lajmeve AFP: “Padia flet vetë. Kjo është një çështje shumë serioze që do të trajtohet në gjykatë.”

Buzbee shtoi gjithashtu se viktima e pretenduar e përdhunimit që ai përfaqëson “nuk ka kërkuar asnjë qindarkë” nga Jay-Z, duke shkruar se “ajo kërkoi vetëm një ndërmjetësim konfidencial”.

Prokurorët federalë pretendojnë se Combs, 55 vjeç, ka abuzuar seksualisht me gra dhe i ka detyruar ato të marrin pjesë në festa seksuale të mbushura me drogë, duke përdorur kërcënime dhe dhunë.

Combs ka deklaruar pafajësinë për të gjitha akuzat, dhe gjyqi i tij penal pritet të fillojë më 5 maj 2025.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit