Një ngjarje heroike ka ndodhur sot në Shkodër, ku dy efektivë policie dhe një qytetar (nëse keni dijeni për identitetin e tij ju lutemi të na shkruani), kanë shpëtuar një 75-vjeçar që po mbytej në lumin Buna.
Policët Kristi Koceku dhe Samet Qotaj, pa hezituar, janë hedhur në ujë me uniformën e tyre pasi i moshuari, i cili u hodh nga ura, ishte marrë nga rrjedha e lumit dhe ndodhej në rrezik për jetën.
Dy efektivët e Policisë së Shtetit me këtë gjest të pashembullt humanizmi për t’u ndjekur janë krenaria e strukturave policore në shërbim të qytetarëve, larg shembullit të drejtuesit madhor të vënë në shërbim të bandave kriminale.
Falë reagimit të shpejtë dhe bashkëpunimit me një qytetar të pranishëm, ata arritën ta nxjerrin 75-vjeçarin nga uji dhe ta transportojnë në bregu. Ai më pas u dërgua drejt ambulancës që e priste në rrugë.
I moshuari është transportuar me shenja jete drejt spitalit, por ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore dhe rrethanat që çuan në këtë akt dramatik.
Dy policët dhe qytetari që ndihmuan janë përshëndetur si heronj nga komuniteti, duke treguar shembullin e kurajos dhe humanizmit në momente kritike.