Vrau gruan me çekiç, shqiptari u dërgoi mesazh fëmijëve në emër të saj: Kam ikur në Patra

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 07.12.2024, 12:08

Detaje të tjera tronditëse kanë dalë në dritë nga vrasja e shqiptares Alba Cenko në Athinë nga bashkëshorti i saj, 39-vjeçari Kastriot Cenko.

Ky i fundit në dëshminë e tij në polici ka treguar se e vrau gruan dhe e fshehu trupin në papafingo për një javë të tërë. Ai ka thënë se pas një debati që ka patur me bashkëshorten e ka goditur me çekiç dhe më pas e ka mbytur me kabllon e karikuesit celular.

Më pas, autori e ka mbështjellë trupin me çarçafë dhe e ka vendosur në dollapin e tyre të dhomës së gjumit. Të nesërmen, e ka lëvizur trupin pasi e ka mbështjellë me qese plastike dhe e ka fshehur në papafingo.

Ai pretendon se e ka dëgjuar bashkëshorten e tij duke folur në telefon me një mashkull, të cilit i ka thënë do të largohej me djalin e madh, për të cilin i ka deklaruar se nuk është fëmija e tij.

Dëshmia e 39-vjeçarit, Cenko:

“Teksa fëmijët flinin, diku rreth orës 01:30 u zgjova dhe pashë që gruaja nuk ishte afër meje. Ajo ishte në banjë duke folur në telefon. E dëgjova të thoshte se do të merrte djalin tonë të madh dhe do të largohej dhe një zë mashkulli u dëgjua në anën tjetër të linjës. I thashë të vinte në dhomë për të folur. E pyeta se kush ishte dhe ajo më tha se ishte askush dhe se po shikonte video. Pas pak ajo pranoi se po fliste me një burrë dhe se do të marrë fëmijën e madh dhe do të largohet. Më tha që nuk kam para.

E pyeta se pse do të marrë djalin tonë të madh dhe më tha që “nuk është fëmija yt” dhe shtoi se vetëm djalin e vogël e kishim bashkë. Në atë moment u hutova plotësisht dhe mora çekiçin dhe e godita në kokë. E godita një herë në majë të kokës dhe ajo ra menjëherë në shtrat. Nuk bëri fare zhurmë. Nuk e dija nëse kishte vdekur, por megjithatë mora një kabllo karikuesi që gjeta përpara, ia vura në qafë dhe e shtrëngova për ta mbytur. Për shkak se i rridhte gjak nga koka, i vura një çantë në kokë dhe e mbështolla”, citohet të ketë thënë 39-vjeçari.

Fëmijët e çiftit 9 dhe 12 vjeç ndodheshin në banesë teksa ndodhi krimi, por po flinin. Për ta fshehur krimin, ai ka thënë se i ka çuar ata në shtëpinë e të vëllait që të ishte vetëm në shtëpi. Më pas, ai e ka fshehur trupin e gruas për një javë rresht në papafingo.

“Të shtunën i kam çuar fëmijët në shtëpinë e vëllait që të kisha kohë dhe të isha vetëm në shtëpi. Pastaj mora trupin e saj të mbështjellë, i vendosa dy çanta sipër kokës dhe e çova lart në papafingo me një shkallë. Ishte shumë e rëndë dhe e kisha të vështirë ta ngrija vetë”.

Por jo vetëm kaq pasi ai ka vijuar me skenarin duke i dërguar mesazhe djalit të tyre ku i është paraqitur si e ëma e fëmijës. Mësohet se autori duke pretenduar se është gruaja e tij 32-vjeçare i ka shkruar djalit të tyre, të cilit i ka thënë se është larguar nga shtëpia dhe u ka kërkuar që të dëgjonin babain e tyre.

“Mami u largua, mori disa rroba me një valixhe dhe tashmë jam në Patra dhe nuk do të kthehem më në shtëpi. Prandaj, ki kujdes për vëllain tënd dhe dëgjo babin. Kur të mbledh para dhe të përgatis letrat, do të kthehem të të marr me vete. Për momentin do shkoj larg dhe jam ndarë me babin, ndaj dëgjojeni. Unë do ju telefonoj kur të mundem sepse tani nuk kam mundësi. Mos u shqetëso, do të marr kur të mundem. Të dua shumë. Tani nuk mund të flas më, por mos u shqetëso. Do të jem mirë. Edhe një gjë, babi nuk e di që jam larguar, kur të lexojë mesazhin, thuaji që do ta marr në telefon, por ai të mos më marrë”.

Në një mesazh tjetër shkruhej: “Kur të mbledh para për të rregulluar letrat do të vij të marr ty dhe vëllain tënd. Mos u shqetësoni për këtë. Unë të dua shumë dhe do të të marr kur të mundem.”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit