Do të suspendohen dy ushtarët e Malit të Zi që u arrestuan në Kosovë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 04.12.2024, 15:49

Dy ushtarët e Ushtrisë së Malit të Zi, Rajko Krivokapiq, 34 vjeç, dhe Dragutin Llallatoviq, 24 vjeç, të cilët u arrestuan së fundmi në Kosovë, do të suspendohen dhe do të iniciohet një procedurë disiplinore për mosinformimin e eprorëve të tyre lidhur me udhëtimin jashtë vendit, sipas raportimeve të “Vijesti”.

Arrestimi i tyre ka ndodhur pasi targat e automjetit me të cilin ata udhëtuan në Manastirin e Deçanit më 24 nëntor mbante mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

Me ta u arrestua gjithashtu Marinko Jovanoviq, 24 vjeç, dhe ata ndodhen aktualisht në paraburgim në Kosovë për dyshimet për kryerjen e veprës penale të nxitjes së urrejtjes. Sipas burimeve të “Vijesti”, Krivokapiq dhe Llallatoviq nuk kishin njoftuar komandën e tyre për udhëtimin në Kosovë, siç kërkohet sipas ligjit.

Njëri nga ushtarët ishte në pushim mjekësor që nga tetori, ndërsa tjetri kishte marrë pushim pak para incidentit. Nuk është e qartë si ata mundën të udhëtonin jashtë vendit ndërkohë që ishin në pushim mjekësor.

Ata pritet të marrin dy të tretat e pagës deri në suspendimin e plotë. Megjithatë, vendimi nuk është ende zyrtar, pasi Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi po pret që ushtarët të paraqiten përpara autoriteteve malazeze para se të nisin procedurat disiplinore.

Burimet kanë theksuar se procedimi disiplinor nuk mund të fillohet bazuar vetëm në raportimet e mediave.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit