Dhjetëra të rinj në Rumani kanë pësuar fraktura dhe trauma të rënda pas një sfide në TikTok të quajtur "Sfida e Supermenit".
Për realizimin e kësaj sfide, adoleshentët hidhen përpara me një krah të zgjatur, duke imituar Supermanin, me qëllimin për t'u kapur nga miqtë e tyre. Por në shumë raste, ata janë lënë të bien në tokë, duke shkaktuar lëndime të rënda.
Mbi 20 pacientë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në një ditë të vetme në Spitalin Grigore Alexandrescu në Bukuresht, për shkak të këtij trendi, dhe dy prej tyre kanë pasur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.
Mjekët kanë ngritur alarmin për këtë fenomen, duke theksuar se prindërit duhet t’u shpjegojnë fëmijëve të tyre rrezikun që ka ky trend, pasi mund të shkaktojë lëndime të rënda që kërkojnë muaj të tërë për t’u shëruar.
Ky fenomen ka shqetësuar autoritetet dhe profesionistët e shëndetit, të cilët theksojnë se, përveç dëmtimit fizik, adoleshentët mund të humbasin edhe kohë nga shkolla për shkak të lëndimeve. Mjekët kanë vlerësuar se frakturat e shkaktuara nga ky trend mund të kërkojnë deri në dy muaj për t'u shëruar plotësisht.
Pjesë e këtij trendi janë bërë edhe futbollistë të njohur e influencues me ndikim të madh tek të rinjtë dhe adoleshentët.