Në nëntor të vitit 2022, në Selanik, një 21-vjeçare, Emmanuela (Ema), humbi jetën pasi u përplas nga një 27-vjeçar shqiptar, i cili më pas e braktisi në vendngjarje. Për këtë rast, i riu u dënua me 16 vjet e 6 muaj burg. Aktualisht, familja e viktimës ka ngritur një padi për dëmshpërblim ndaj tij, dhe nëna e saj, Kelly, ka dhënë deklarata para mediave greke përpara fillimit të seancës gjyqësore.
Kelly, nëna e Emës, ka theksuar se nuk beson në pendesën e të akuzuarit, duke deklaruar se: “E vetmja gjë që u interesonte atëherë dhe tani është të shpëtojnë jetën e tyre, veçanërisht tani që padia jonë është në pritje.” Ajo shtoi se pavarësisht kërkesës së faljes nga 27-vjeçari, ai nuk ka treguar pendesë të sinqertë.
“Ai i kërkoi falje, por tha se nuk ishte faji i tij. Ai pretendoi se ajo doli para makinës së tij dhe nuk po vraponte. Emmanuela po kalonte rrugën me celularin në dorë. Një kërkesë falje e tillë nuk është një falje,” tha Kelly.
Në dëshminë e tij gjatë procesit gjyqësor, i riu shqiptar ka deklaruar se Ema i doli papritur para makinës ndërsa ai po ecte me një shpejtësi prej 55 km/h. Sipas tij, ndonëse frenoi dhe ktheu timonin për ta shmangur, nuk arriti të shmangte përplasjen. “Ajo doli papritur në rrugë dhe nuk pata kohë ta shoh. E pashë vetëm për dy sekonda,” është shprehur ai.
Gjithashtu, ai ka kërkuar falje për ngjarjen, duke thënë: “Më vjen keq për atë që ndodhi.” Ai ka bërë të ditur se ka jetuar në Greqi për 13 vite pa dokumente të ligjshme qëndrimi dhe pa patentë shoferi. Ndodhia ka nxitur debat të gjerë në opinionin publik, ndërsa procesi gjyqësor vijon.