14 persona janë arrestuar në aksionin antidrogë, të koordinuar nga Drejtoria e Qarkut Antimafia e Milanos. Mes tyre ishin 6 italianë dhe 8 shqiptarë, të cilët akuzoheshin për trafikim ndërkombëtar të drogës.
Hetimet identifikuan dy banda droge që vepronin në lagjet San Siro dhe Bonola, si dhe Baranzate dhe Bollate, në veri të Milanos. Banda përdorte një skemë të mirorganizuar, duke rekrutuar kryesisht shqiptarë për të shpërndarë drogë. Rekrutët, të quajtur “kuaj”, ishin punëtorë sezonalë që qëndronin në BE për 90 ditë, kohëzgjatja e lejuar për turistët shqiptarë. Pas periudhës tremujore, ata ktheheshin në Shqipëri dhe zëvendësoheshin nga grupi tjetër.
Organizata i siguronte punëtorëve ushqim, strehim, mjete transporti dhe telefona. Gjithashtu, rekrutët merrnin trajnime për teknikat e shpërndarjes dhe menaxhimin e klientëve të drogës.
Komisariati i Bonolës vazhdoi hetimet nga operacioni “Rikualifikimi i Selinunte”, duke zbuluar rrjetet e shpërndarjes dhe furnizimit me hashash, marihuanë dhe kokainë, ku në total janë arrestuar 21 persona dhe janë sekuestruar 700 gramë kokainë dhe 4 kilogramë hashash. Policia dokumentoi aktivitetin me pamje filmike, duke zbuluar vendet e fshehjes së drogës, kryesisht në bidonë uji të modifikuar dhe paketa cigaresh me shtresa të dyfishta. Banda ndërronte korrierët çdo 90 ditë për të shmangur rregullat e emigracionit dhe përdorte fluturime direkte drejt Shqipërisë për të fshehur aktivitetin ilegal.