Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja që ndodhi pasditen e sotme në Ndroq të Tiranës, ku 50-vjeçari Alfred Dedja u qëllua për vdekje me armë zjarri nga autori i dyshuar i krimit, 27-vjeçari Julian Gjoshi.
Raportohet se Gjoshi rezulton të jetë një personazh i njohur për drejtësinë dhe i lidhur me emra të përfolur në raste kriminale në vend.
Gazetarja Klodiana Lala bëri me dije se Julian Gjoshi është kunati i Altin Hajrit, një person i shpallur në kërkim për përfshirjen në vrasjen makabre të Jan Prengës në Shijak.
Gjoshi u arrestua më 18 janar 2021 për armëmbajtje pa leje dhe drejtim automjeti në gjendje të dehur.
Emri i Julian Gjoshit është përmendur në dosjen e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja. Sipas materialeve hetimore, Altin Hajri ka përdorur lidhjet e tij me Çyrbjen për të kërkuar ndihmë për lirimin e kunatit nga burgu. Në bisedat e dokumentuara përmes aplikacionit Sky ECC, Hajri i ka ofruar shuma të mëdha parash Çyrbjes për të ndikuar në ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Gjoshit dhe për manipulimin e provave të armës së zjarrit që kishte çuar në arrestimin e tij.
“Kunati im është kapur me pistoletë... Të paktën të ndryshojnë versionin, të lirohet një prej tyre... Do japim 20 mijë euro, vetëm ta mbyllim këtë punë,” i kishte shkruar Hajri ish-deputetit, duke theksuar se urgjenca e çështjes kërkonte ndërhyrje të menjëhershme.
Më tej, komunikimet mes Hajrit dhe Çyrbjes përfshijnë edhe një kërkesë për ndihmë në parandalimin e një arrestimi të mundshëm të Hajrit, bazuar në informacione që ai pretendonte të kishte marrë nga burime të brendshme. Emri i një personi të quajtur “Olsi” përmendet në komunikimet, si një individ që dyshohet se ka dhënë ndihmë vendimtare në rastin e Gjoshit.
Rasti i sotëm ka nxjerrë në pah edhe një herë lidhjet e ndërlikuara mes grupeve kriminale dhe figurave politike, duke rikthyer në vëmendje nevojën për hetime të thelluara dhe ndëshkimin e përfshirjes në krime të tilla të organizuara.