Deputeti, Haki Abazi, ka njoftuar se do të garojë për një mandat të ri në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, duke u përfshirë në listën zgjedhore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Në një konferencë për media, Abazi theksoi se ka disa aspekte që e lidhin atë me AAK-në, duke theksuar bashkëpunimin e gjatë me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ai shpjegoi se ka pasur shumë diskutime për çështjet që prekin interesat e vendit dhe të kombit, qoftë me Haradinajn, ashtu edhe me kryetarin e grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahirin.
“Mendoj që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vizionin më të qartë, planin më të qartë, hapat e sigurt të depërtimit deri te anëtarësimi në NATO,” u shpreh ai.
Abazi falënderoi AAK-në për mundësinë dhe theksoi se ajo e gjeti “idenë e Skënderbeut me i bë thuprat bashkë e mos me u thy në këto situata shumë delikate të sigurisë”.
Ai shprehu angazhimin e tij për të qenë krahu i Haradinajt dhe i miqve të tij në AAK, përfshirë edhe kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, të cilin e cilësoi si një model të udhëheqjes me dinamikë dhe reforma të mëdha.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, vlerësoi kontributin e Abazit në shumë etapa të rrugëtimit të partisë, duke e cilësuar si një angazhim të çmuar për shoqërinë civile dhe demokratizimin e vendit.
“Hakiu nuk ka pasur vetëm etiketë partiake, por çdoherë ka qenë i hapur për komunikim, për bashkëpunim me të gjithë ne në Parlament”, shtoi Haradinaj.