Në një akt solidariteti dhe proteste ndaj padrejtësive e pasigurisë nëpër shkolla, qytetarët kanë thirrur një protestë ditën e nesërme, më 27 nëntor, duke nisur nga shkolla “Fan Noli”.
"Bojkotojmë & marshojmë për Martinin, për jetën, për sigurinë dhe arsimin e fëmijëve," është thirrja e protestës së nesërme, e cila do të nisë në orën 11:00.
Protesta organizohet nën sloganin “Stop Dhunës”, për të kërkuar drejtësi për jetën e Martin Canit dhe për të siguruar kushte më të mira për fëmijët.
JOQ Albania zbuloi sot zhvillime tronditëse në lidhje me rastin e vrasjes së Martin Canit. Burime ekskluzive bënë me dije për JOQ se një prej të miturve të përfshirë, Kledion Bejkaj, është lënë i lirë. Ai rezulton të jetë djali i dy zyrtarëve me influencë në BKH dhe SPAK, duke ngritur dyshime të mëdha mbi drejtësinë dhe transparencën e këtij rasti.
Kledion Bejkaj, i cili dyshohet se ka shoqëruar autorin e krimit Mario Përlleshaj gjatë sulmit, u vetdorëzua ditën e sotme pas publikimit të këti skandali.
Ndërkohë, babai i Luisit që mbeti i plagosur nga sherri ka deklaruar publikisht se Bejkaj mbante një thikë dhe kishte marrë pjesë në sulm. Akuzat se prindërit e tij po përpiqen ta nxjerrin jashtë vendit kanë shkaktuar zemërim të madh në publik.
Protesta e organizuar është një thirrje për drejtësi dhe një kundërshtim i hapur ndaj korrupsionit dhe pabarazive që prekin jetën e fëmijëve dhe sigurinë e tyre.