Pas dështimit për sjelljen e emigrantëve në Shqipëri, Giorgia Meloni po eksploron rrugë të reja, duke përfshirë atë të shndërrimit të kampeve në Gjadër në burgje për të strehuar të burgosurit e lidhur me mafian shqiptare, të cilët numërohen rreth 2800 në Itali.
Prokurori i Napolit ka paralajmëruar se “Mafia e së ardhmes, jo vetëm në Itali, por edhe në Europë, do të jetë ajo shqiptare” dhe për këtë arsye kreyministrja italiane duket se po merr masa.
Synimi për transferimin e emigrantëve nga Afrika direkt në Shëngjin dhe Gjadër, në pritje të procedurave burokratike për fatin e tyre, nuk ka ecur sipas planit të Melonit pasi referuar raporteve të fundit pothuajse i gjithë stafi i qendrës është tërhequr në Itali.
Përballë mbipopullimit të burgjeve të vendit, me përqindje që i kalojnë 130% dhe me gjithnjë e më shumë vetëvrasje të të burgosurve, qeveria italiane po propozon përdorimin e kampeve në zonën e Lezhës, për të burgosurit shqiptarë të dënuar në Itali.
Pavarësisht kritikave të shumta, përfshirë ato të brendshme, në Europë qendrat shqiptare konsiderohen model për t'u studiuar, megjithatë plani italian duket se ka mbërritur shumë herët për t'u kuptuar. Ndër gabimet e bëra ishte mungesa e një strukture organizative solide, e aftë për të menaxhuar detaje të rëndësishme dhe një task force ligjore që do të bllokonte vendimet, megjithëse numri i vogël i migrantëve nuk ndihmoi. Marrëveshja e nënshkruar vitin e kaluar midis Romës dhe Tiranës parashikonte që Shqipëria të priste deri në tre mijë emigrantë me një kosto prej të paktën 670 milionë euro për pesë vjet.
Por kostot e larta, vendi i zgjedhur në rrezik përmbytjeje, beteja juridiko-politike e menaxhuar keq bëri që plani të mos ecte ashtu siç ishte parashikuar.