Një qytetar i revoltuar ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania një rast që ka ngritur shumë pikëpyetje mbi përdorimin e faqeve zyrtare të shkollave publike në rrjetet sociale për qëllime propagande politike.
Bëhet fjalë për Shkollën e Mesme të Bashkuar "10 Korriku" në Dushk të Lushnjës, ku dallohet qartë se është shpërndarë në faqen e Facebook të këtij institucioni arsimor një postim i mitingut të kryeministrit Edi Rama në Londër.
Sipas qytetarit, ky veprim është një shembull i qartë se si disa shkolla vendosin prioritet propagandën e qeverisë, duke anashkaluar detyrat e tyre të vërteta në edukimin e brezave të rinj.
Ai shprehet:
"Me çfarë propagande të shëmtuar merren shkollat tona, normale kur drejtorët e kanë mendjen t’i lëpihen qeverisë e jo të bëjnë punën e tyre që mos të ndodhin ngjarje si ajo e 14-vjeçarit."
Ky veprim ka ngjallur reagime dhe shqetësim, pasi shkollat, të cilat duhet të jenë institucione të pavarura dhe të përqendruara vetëm në edukimin e fëmijëve, po përdoren për qëllime politike.
Pse duhet të përfshihet arsimi në propagandën e qeverisë?!