Dy vëllezër, Florjan Dukaj (45 vjeç) dhe Shkëlqim Dukaj (48 vjeç), janë arrestuar si të dyshuar për vrasjen e biznesmenit Eduart Reçi, 52 vjeç.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 13 nëntorit, kur Reçi u ekzekutua me një plumb në kokë nga një armë me dylbi. Krimi u krye në sheshpushimin e një pallati që ai vetë kishte ndërtuar në rrugën “Faik Konica,” pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Tiranë.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, Shkëlqim Dukaj, i cili është oficer policie, dyshohet të jetë autori i drejtpërdrejtë i ekzekutimit. Provat e mbledhura kanë përcaktuar edhe vendndodhjen e saktë nga ku u qëllua viktima.
Hetuesit besojnë se motivi i vrasjes lidhet me një konflikt pronësie, i cili ka të bëjë me një pallat që Reçi kishte planifikuar të ndërtonte.
“Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi Eduart Reçi, po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës). Ndër personat me të cilët shtetasi Eduart Reçi, kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit Florjan Duka, dhe Shkëlqim Duka.” – thuhej në njoftimin e bluve të kryeqytetit.
Policia ka kontrolluar ambientet e lokalit, banesës dhe magazinës së dy vëllezërve, ku ka zbuluar një armë zjarri të dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike të ngjashme me silenciatorë, pjesë për mekanizma silenciatorësh, dy jelekë antiplumb dhe pajisje elektronike. Të gjitha këto janë sekuestruar si prova materiale, duke dokumentuar aktivitetin e dyshuar të autorëve në lidhje me ngjarjen.
Vëllezërit Florjan dhe Shkëlqim Dukaj akuzohen për “Vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit,” bazuar në provat e mbledhura nga autoritetet.