Singapori prodhon birrë duke ricikluar ujërat e zeza, Samiti i Klimës e mbështet

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 23.11.2024, 14:30

Në samitet e klimës, ushqimi dhe pijet marrin gjithmonë vëmendje të madhe.

Në takimin e këtij viti, delegacioni australian ka fituar zemrat e pjesëmarrësve me kafenë falas. Një tjetër pikë e forte tërheqëse është pavioni i Azerbajxhanit, ku mikpritësit shërbejnë çaj të fortë.

Ndërkohë, Singaporasit kanë tërhequr vëmendjen duke shpërndarë birrë falas të prodhuar nga uji i ricikluar i tualetit. Delegatët dhe vëzhguesit në bisedimet e mbajtura në një stadium futbolli të përshtatur në Baku, kryeqyteti i Azerbajxhanit, duket se nuk shqetësohen. Përkundrazi, karakteristikat e riciklimit të birrës mund të jenë një shtysë për të tërhequr ata që janë të ndërgjegjshëm për mjedisin në këtë samit, të njohur si COP29.

“Fillimisht, ata hapin sytë me habi”, – tha Samantha Thian, një nga drejtueset e delegacionit rinor të Singaporit në Baku. “Por më pas sigurohen për cilësinë dhe zakonisht kthehen të nesërmen për një tjetër.”

Singapori, një shtet ishull në skajin jugor të Gadishullit Malaj, nuk ka burime të mëdha natyrore të ujit të ëmbël. Ai mbledh reshjet, importon ujë nga fqinji i tij verior, Malajzia, largon kripën nga uji i detit dhe përdor sisteme filtrimi dhe dritë ultravjollcë për ta bërë ujin sërish të pijshëm.

Sigurimi i mjaftueshëm i ujit të pastër për njerëzit, për të kultivuar të mbjellat dhe për të mbajtur në punë industritë si ajo e prodhimit të çipave kompjuterikë, është një sfidë kyçe ndërsa ngrohja globale përkeqëson mungesën e ujit në mbarë botën.

Sipas Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, afërsisht gjysma e popullsisë së planetit tashmë përballet me vështirësi për të siguruar ujë të pastër për të paktën një pjesë të vitit. Çdo gradë shtesë në temperaturë rrit rrezikun e thatësirave dhe përmbytjeve.

Ndërsa lajmi për birrën e quajtur “birrë e ujërave të zeza” u përhap, disa pjesëmarrës të konferencës vizituan pavionin e Singaporit për ta provuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit