Ekzekutimi i tretë brenda javës, Singapori dënon me vdekje 55-vjeçarin që u kap me 57 gramë heroinë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22.11.2024, 23:54

Singapori ka kryer ekzekutimin e tretë për trafik droge brenda një jave, duke injoruar thirrjet për falje nga Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Rosman Abdullah, 55 vjeç, u var për trafikimin e 57.43 gramë heroine në shtetin e Singaporit, sipas deklaratës së Byrosë Qendrore të Narkotikëve (CNB). Autoritetet theksuan se 55-vjeçari kishte kaluar të gjithë procedurat ligjore dhe ishte përfaqësuar nga avokatë gjatë procesit.

Ekspertë të OKB-së dhe Amnesty International kanë kritikuar ashpër vendimin, duke e cilësuar si një akt "tronditës" dhe "shumë alarmant". OKB shprehu shqetësimin për faktin se Abdullah, i cili vuante nga 'aftësi të kufizuara intelektuale', nuk kishte marrë mbështetjen e nevojshme gjatë hetimit dhe gjykimit.

“Jemi shumë të shqetësuar që Rosman bin Abdullah nuk pati akses në ndihmë të individualizuar për aftësinë e tij të kufizuar,” thanë ekspertët e OKB-së në një deklaratë.

Singapori ka ligje shumë të ashpra kundër drogës, duke përfshirë dënimin me vdekje për trafikimin e më shumë se 500 gram kanabis ose 15 gram heroinë.

Në një javë të vetme, tre persona janë ekzekutuar për trafik droge, përfshirë një shtetas malajzian dhe një tjetër nga Singapori.

Kritikët theksojnë se ekzekutimet nuk ndihmojnë në uljen e kriminalitetit dhe kërkojnë një qasje më humane për trajtimin e rasteve të tilla. Nga ana tjetër, autoritetet në Singapor mbrojnë qëndrimin e tyre, duke thënë se dënimi kapital është i domosdoshëm për të luftuar dëmin e madh që sjell droga për shoqërinë.

Pavarësisht imazhit të tij si qendër moderne e biznesit ndërkombëtar, Singapori mbetet një nga vendet e pakta që vazhdon të zbatojë dënimin me vdekje për trafik droge, duke u renditur përkrah Kinës dhe Koresë së Veriut.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit