Në lagjen nr. 4 të qytetit të Korçës, një defekt në sahatet e ujit në një pallat shkaktoi djegien e tyre dhe mbushjen e hyrjes së pallatit me tym, duke krijuar panik te banorët.
Banorët u detyruan të dalin jashtë ndërsa autoritetet po punojnë për pastrimin e ambientit dhe rregullimin e sahateve. Për këtë arsye, Drejtoria e Ujësjellësit ndërpreu furnizimin me ujë deri në zgjidhjen e problemit.
“Shpërthyen tubat e ujit, u çanë, u mbush dynjaja me ujë. Lart dilte tym, por s’e dimë se ku. Ne vetëm kur na thanë dilni jashtë. Kemi lajmëruar zjarrfikësen, erdhën ata, u mbyll uji, drita nuk kemi, tashi nuk e dimë si do vazhdojë”.
Banorët treguan se fillimisht panë tym në korridor dhe, kur hapën derën e dhomës ku kalojnë tubat, konstatuan përmasat e dëmit. Pas lajmërimit të zjarrfikësve, ekipi mbërriti shpejt dhe ndërpreu ujin, por dëmtimi i tubave shkaktoi përmbytje, duke lënë ndërtesën pa ujë dhe drita, ndërsa të gjithë banorët mbetën jashtë.
“Ra zjarri lart në katet lart dhe shpërthyen tubat e ujit. Banorët e kateve sipër ishin më të rrezikuarit, ne dolëm jashtë në moment”, deklaroi qytetari.
Një prej banorëve theksoi se banorët e kateve më të larta ishin më të rrezikuarit, duke përmendur se shpërthimi i tubave dhe përhapja e tymit i detyruan të evakuohen menjëherë. Pallati u përball me vështirësi serioze për shkak të përmbytjes dhe dëmtimeve që e bënë të pamundur kthimin në shtëpi.