Rrok Gjoka i pangopur, gati të marrë mijëra euro të tjera për rrugën e shembur te Shkalla e Tujanit

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 11.11.2024, 12:11

Një pjesë e aksit rrugor në zonën e Shkallës së Tujanit është shembur, duke krijuar bllokime dhe vështirësi për udhëtarët. Pamjet nga terreni tregojnë për dëmtime në asfalt dhe rrëshqitje, duke ndikuar në qarkullimin e mjeteve dhe duke rritur rrezikun për përdoruesit e rrugës.

Shembjet dhe degradimi në këtë segment janë pjesë e një problematike të njohur. Herë pas here, qytetarët kanë dërguar pamje në redaksinë tonë që tregojnë guroren në pronësi të koncesionarit Rrok Gjoka, e cila përdor shpërthime me lëndë plasëse për të nxjerrë gurë që përpunohen në çakëll dhe tregtohen. Në këto kushte, rrugët mbeten shpesh të bllokuara dhe të vetmit që e pësojnë pa asnjë paralajmërim, janë qytetarët, të cilët gjenden përpara faktit: të bllokuar e të izoluar nga lëvizjet dhe me jetën në rrezik.

Ky proces, sipas raporteve, ka shkaktuar shembje të përsëritura të masiveve shkëmbore, duke dëmtuar bazamentin mbështetës të rrugës dhe duke vënë në rrezik strukturën e saj. Rruga shpesh bllokohet për shkak të shembjeve të lidhura me aktivitetin e gurorës, të cilat, edhe pse të paraqitura si aksidente, sipas kritikëve, janë burim për rritjen e kostove të rrugës.

Gjoka, përmes kompanisë së tij, ka marrë disa fonde shtesë për ndërhyrje riparuese, me shpenzimet për projektin që kanë kaluar vlerën e 370 milionë eurove. Kjo rrugë, që filloi si projekt koncesionar në 2018 dhe parashikohej të përfundonte në 2022, ka kaluar përmes disa fazave të zgjatjes së afatit, ndërsa kostot për ndërhyrje emergjente kanë përfshirë fonde për tunelet që kanë shfaqur defekte të shpeshta strukturore dhe për skarpatet e dëmtuara në Shkallën e Tujanit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit