Mesazhe të shkëmbyera mes kriminelëve të organizuar dhe zyrtarëve të Partisë Socialiste kanë zbuluar ndikimin që këta individë kishin në renditjen e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.
Një nga emrat që u përfshi në listën e sigurt të PS për Qarkun e Durrësit ishte ai i Jurgis Çyrbjas, i cili u rendit në vendin e tretë, edhe pse kërkesat nga individë të krimit të organizuar sugjeronin një pozicion më të lartë.
Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekiçi, i ekzekutuar në pranverën e vitit 2021, dhe Altin Hajri, i kërkuar nga drejtësia, janë ata që bënë presion për të garantuar pozitat e Çyrbjas.
Janë bërë publike në media mesazhet që tregojnë se Çekiçi, krahu i djathtë i Plaurent Dervishaj, kishte shkëmbyer mesazhe me Jurgis Çyrbjan në mars të vitit 2021 për të siguruar vendin e tij në listë.
Në një nga mesazhet e shkëmbyera, Edmond Çekiçi thotë:
“Tashi sa e mbylla muhabetin tënd. Kam 3 orë me atë. Ia kërkova personalisht. E du unë këtë gjë i thashë. Përveç se e duan të gjithë. Do ja çoj ashtu, tha, ti i pesti, Liri i 7.”
Ndërsa Jurgis Çyrbja kthen përgjigje: “Ma ngrite moralin. Se na kishte ik mendja.”
Një tjetër mesazh i shkëmbyer me një person të paidentifikuar nga SPAK sugjeron se negociatat po zhvilloheshin për të siguruar përkrahjen e të tjerëve për Çyrbjan, pa krijuar përçarje brenda partisë.
Personi i paidentifikuar shkruan: “Mos humbim qetësinë, po të punojmë fort. Ishalla ndërrojnë mendje C me GJ. I thashë duam J. Po duhet qetësi, po të punojmë fort se u ngjan C dhe GJ sikur krijojmë përçarje.”
Gjatë këtyre zhvillimeve, Altin Hajri, një tjetër individ i shumëkërkuar nga drejtësia, ka dërguar një listë me emrat e kandidatëve në telefonin e Çyrbjas, ku emri i këtij të fundit ishte renditur i 7.
Hajri e informon Çyrbjan se Çekiçi (Edmond Koçi) është dakord, dhe se do të fliste me Lentin, i cili, sipas SPAK, është Plarent Dervishaj.
Në listën përfundimtare të Partisë Socialiste, emri i Jurgis Çyrbjas rezultoi i treti.
Ish-deputeti Jurgis Çyrbja u arrestua më 20 tetor nga SPAK, tre ditë pas dorëzimit të mandatit. Ai është nën hetim për akuzat e korrupsionit zgjedhor dhe dy akuza të tjera.