Mëngjesin e sotëm në portin e Durrësit ka mbërritur anija ‘Moliva,’ që transporton 102 kontejnerë me mbetje që dyshohet të jenë të rrezikshme.
Procesi i shkarkimit të kontejnerëve pritet të nisë së shpejti, me synimin për t’i transportuar jashtë hapësirës portuale drejt një zone të sigurt, të përcaktuar nga autoritetet.
Sipas burimeve nga porti dhe kapitaneria, kontejnerët do të transportohen në Porto Romano, ku do të mbahen nën mbikëqyrje 24-orëshe, siç ka kërkuar edhe Prokuroria e Durrësit.
Kjo masë synon të sigurojë që mbetjet të ruhen në kushte të kontrolluara për të minimizuar çdo rrezik të mundshëm për shëndetin publik dhe mjedisin.
Pas vendosjes së kontejnerëve në zonën e sigurt, ekipet e specializuara do të marrin mostra nga secili kontejner, të cilat më pas do të analizohen në një laborator të posaçëm për të përcaktuar natyrën dhe përbërjen e saktë të mbetjeve.
Anija ‘Moliva,’ e cila përmban mbetje të refuzuara nga autoritetet tajlandeze, ka qenë e ankoruar për mbi 10 ditë në radën e portit të Durrësit, duke pritur lejen për të hyrë në port.