Giorgia Meloni, kryeministrja e Italisë, ka deklaruar se për herë të parë është kërcënuar me vdekje nga trafikantët e qenieve njerëzore. Në një intervistë televizive, ajo theksoi rëndësinë e qendrave që do të funksionojnë në Shqipëri, duke i cilësuar ato si "gurë themel" për menaxhimin e flukseve të refugjatëve drejt Italisë.
Meloni theksoi se zgjidhja inovative e Italisë ka habitur shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian, çka shpjegon vëmendjen e madhe që po merr marrëveshja. Ajo nënvizoi se "agresiviteti" nga trafikantët është rritur, pasi strategjia e qeverisë italiane po jep rezultate, me zbritje prej 60% në zbarkimet e refugjatëve dhe rritje prej 30% në riatdhesime gjatë dy muajve të fundit.
Kryeministrja njoftoi se ndikimi i kampeve në Shqipëri ka krijuar probleme të mëdha për trafikantët, duke çuar në kërcënime ndaj saj.
Kur u pyet për akuzat nga Këshilli i Evropës se policia italiane është raciste dhe se Italia mund të konsiderohet e pasigurt, Meloni sqaroi se vendi ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij, por bëri të qartë se nuk mund të presë miliona njerëz që duan të kalojnë nga Azia dhe Afrika në vendet e BE-së.
Duke përmendur popullsinë, ajo nënvizoi se "Bangladeshi sot ka afro 175 milionë banorë, ndërsa Egjipti ka rreth 104 milionë banorë." Meloni theksoi se Italia nuk mund të përballojë flukset në rritje pa rregulla dhe mundësi.
"Nuk jemi një vend që thotë 'mos hajdeni', por gjithçka duhet të bëhet sipas rregullave të përcaktuara," përfundoi Meloni.