Ali Ahmeti është duke kërkuar vetting për të gjithë politikanët në Maqedoni të Veriut, por edhe për të gjitha partitë politike, pas akuzave të shumta nga partitë maqedonase se grupacioni politik që ai udhëheqë është i “korruptuar”.
“Ta provojmë humorin se si do dalë, unë jam gati”, ka qenë përgjigja e Ali Ahmetit ndaj Hristjan Mickoski-t, i cili propozimin e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), për vetting ndaj të gjithë politikanëve në Maqedoni të Veriut e cilësoi si “humor i mirë”.
Ashtu siç tha të mërkurën, lideri i “Frontit Evropian” ia përsëriti thirrjen Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, i cili vazhdimisht e akuzon partinë që drejton Ahmeti për korrupsion, duke i thënë se janë të gatshëm kurdo për vetting.
“Kam bërë thirrje, jo tash, po ka vite, ligji për vetting është në sirtarët e kuvendit të Maqedonisë së Veriut i propozuar para 4 vjetësh dhe le t’i hapin sirtarët, mos i zverdhin dokumentet nëpër sirtarë. Bëhet vettingu me lehtësim ndërkombëtar; vetting pa pjesëmarrje të Brukselit dhe Uashingtonit nuk do të jetë i suksesshëm”, tha Ahmeti.
Por, Ahmeti kërkoi që në këtë proces të hapen të gjitha, e ku më e rëndësishmja që do të rezultonte do të ishte se si shqiptarët ishin përjashtuar nga privatizimet në vitet e 90-ta.
“Le të hapet ‘Kutia e Pandorës’, si u bë privatizimi në Maqedoninë e atëhershme ku shqiptarët u përjashtuan nga të gjitha sferat, shqiptarët u përjashtuan, le të hapet hetim si u pasuruan dhe ç’pasuri kanë të gjithë politikanët në Maqedoni e Veriut për 30 vitet e fundit”.
Përveç kësaj, ai kërkojë që të hapet hetim edhe për të gjitha partitë politike në RMV.
“Filma të Hollywood nuk bëjë unë këtu, dhe nuk jam skenarist i Hollywood. Le të urdhërojnë, i bëjmë të gjitha”, shtoi ndër të tjera lideri i BDI-së.
Ndryshe, Hristjan Mickoski, kryeministri nacionalist i Maqedonisë së Veriut, vazhdimisht ka sulmuar partinë e Ali Ahmetit për korrupsion.
Por, shumë kush këtë sulm e ka parë si një kamuflazh ndaj rrymës anti-shqiptare që ai përfaqëson.
Mickoski edhe me krijimin e qeverisë së re në RMV si fitues i zgjedhjeve në taborin maqedonas, anashkaloi fituesin në taborin shqiptar, që ishte koalicioni i drejtuar nga Ali Ahmeti, “Fronti Evropian”, duke zgjedhur humbësit e “VLEN”-it.