36-vjeçari, Elis Rroshkodoli, i cili u vra me armë zjarri ditën e sotme në Shkodër nuk është një emër i huaj për autoritetet vendase dhe ato të huaja, pasi mbi të rëndojnë disa akuza ndër vite.
Roshkodoli dhe 13 persona të tjerë rezultojnë të arrestuar në vitin 2014 në Belgjikë, të akuzuar për grabitje. Ata u kapën me një shumë prej 15 mijë eurosh, sende me vlerë dhe armë.
“Anëtarët e këtij grupi kriminal dyshohet se kryenin vjedhje jashtë Shqipërisë dhe më pas shisnin ose trafikonin sendet e vjedhura me vlerë të konsiderueshme në Shqipëri. Gjithashtu, dyshohet se shumat e krijuara nga shitja e sendeve të vjedhura u dërgoheshin familjarëve të tyre me transferta në agjenci të specializuara” , shkruhej në njoftimin e Prokurorisë.
Pas ngjarjes në shtetin belg, Roshkodoli ndërroi emrin në Elis Shkoza. Mirëpo, incidentet nuk patën të ndalur, sepse në prill të vitit 2023, personi në fjalë bëri sherr me pronarin e një klubi nate në Rumani, e plagosi me thikë dhe u largua nga vendngjarja. Si pasojë, mbi të rëndonin akuzat e plagosjes dhe u shpall në kërkim nga autoritetet rumune.
Asokohe media rumune “CANCAN” shkroi për një lidhje indirekte të personazhit shqiptar me emrin e artistit dhe këngëtarit italian Al Bano Carrisi, pjesë e një projekti muzikor.
Në artikull shkruhej se njeriu që goditi me thikë pronarin e klubit të natës dyshohet se ka ndryshuar emrin dhe ka lidhje me Al Bano-n.
Në mars të vitit 2021, shtypi italian njoftoi se dy artistë shqiptarë, vëllezërit nga Shkodra, Elis dhe Anxhelo Shkoza, kanë hapur një studio diskografike. Madje të dy arritën të bashkëpunonin me vajzën e artistit Al Bano Carrisi, Jasmina dhe premtuan se do të kishin një sukses të jashtëzakonshëm në industri.
Kujtojmë që një prej artistëve quhet Elis Shkoza, kështu quhet edhe Elis Rroshkodoli, personi i ardhur këto ditë në Rumani dhe qëlloi me thikë pronarin e klubit të natës. Bazuar në ngjashmërinë midis grabitësit dhe artistit, hidhen dy hipoteza.
a) Elis Rroshkodoli ndryshoi emrin pasi shkoi në Itali për të nisur karrierën muzikore me të vëllain. b) Elis Rroshkodol ka vjedhur emrin e artistit, duke përfituar nga ngjashmëria fizike për të qarkulluar lirshëm nën identitetin e Elis Shkozës.
Më shumë qëndron opsioni i dytë, sepse Elis Rroshkodoli ka lindur në vitin 1988, pra është 34 vjeç. Kurse Elis Shkoza (këngëtari) mbaroi shkollën e mesme në vitin 2011 (sipas profilit të tij në "Facebook"), me shumë gjasa në moshën 18-vjeçare, që do të thotë se ka lindur në vitin 1993 dhe tani i bie të jetë 30 vjeç.