Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, ka thënë se “qëllimi i vërtetë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nuk është hapja e urës, por tensionimi dhe shtypja e popullit serb deri në atë pikë sa çdo qytetar të heqë dorë dhe largohet nga Kosova”.
Elek ka deklaruar për tabloidin në shërbim të regjimit aktual serb, “Veçernje Novosti” se Kurti “ka dhënë udhëzime të qarta për bashkëpunëtorët e tij – që gjysma e serbëve të arrestohen e gjysma tjetër të dëbohen”.
“Me 15 për qind më pak serbë, Kurti nuk është i kënaqur me atë që është bërë dhe në fund të mandatit të tij, në fillim të fushatës, ai dëshiron vetëm të persekutojë “popullin serb” ose siç thuhet në dokumentet strategjike të partisë së tij, të zgjidh çështjen e veriut”, ka pretenduar kryetari i Listës Serbe.
Sipas fjalëve të tij, “është koha që bashkësia ndërkombëtare të veprojë, dhe se paralajmërimet, apelet, rekomandimet dhe njoftimet në sytë e Kurtit duken si dobësi e jo si qëllim i sinqertë për të ndalur persekutimin e serbëve”. Ai ka thënë se në protestën e fundit “populli serb” i tha qartë “jo” hapjes së urës, e cila është simbol i “vuajtjeve të popullit serb” në 25 vjetët e kaluara.
Ai kërkon që bashkësia ndërkombëtare “të qëndrojë në vijën ndarëse dhe t’i ndalë falangat e Kurtit, kurse KFOR-i dhe EULEX-i duhet të ofrojnë siguri për serbët dhe të krijojnë kushte që situata të kthehet në periudhën para vendimeve të njëanshme antiserbe”.
“KFOR-i dhe EULEX-i nuk duhet të jenë vëzhgues të heshtur derisa Kurti realizon ëndrrën për Kosovën mono-etnike. Në takimet që kemi pasur si përfaqësues politikë serbë me përfaqësues të huaj, kemi paralajmëruar për këtë zhvillim. E kemi përsëritur se me mosveprimin e tyre “populli serb” i sheh ata si bashkëfajtor në të keqen që po bën Kurti”, ka pretenduar ai.
Më pas Elleku vazhdon me detyrën e tij për servilizim ndaj liderit suprem të tij duke thënë se “për paqen dhe krijimin e kushteve për bashkëjetesë janë të përkushtuar vetëm liderët tanë shtetërorë, presidenti ynë, Aleksandar Vuçiq dhe drejtori i zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq”.
“Shikoni si po hapen fabrika, autostrada, hekurudha të shpejta, qendra klinike në gjithë Serbinë qendrore… Dhe Kurti po hap baza policore për ngacmimin e serbëve. Këto janë dy botë. Njëra që kujdeset për jetën më të mirë të qytetarëve, e krijuar nga puna e palodhshme e presidentit Vuçiq dhe tjetra që ngjan me aparteidin, e krijuar për serbët nga Kurti”, vazhdon Ellek, dhe pyet se “si është e mundur që bota demokratike dhe e qytetëruar të heshtë dhe të shikojë ndërsa një komb zhduket nga vatrat e tij shekullore? Mirëpo ne e kemi vendin tonë me ne, me presidentin Aleksandar Vuçiq në krye, i cili po bën gjithçka për të mbrojtur popullin tonë në kushte të pamundura”, përfundon servilizimin e tij Zllatan Ellek.