Ditën e sotme në redaksinë e JOQ ka mbërritur një denoncim nga një qytetare e cila pretendon se është mashtruar nga një dyqan online, Modastika. Sipas mesazhit të saj, ajo ka përjetuar një periudhë të gjatë dhe të lodhshme në përpjekje për të zgjidhur problemin me produktin që ka blerë.
Sipas denoncimit të qytetares, por që duket edhe qartë nga mesazhet mes saj dhe faqes online, kjo e fundit nuk mban përgjegjësi për një produkt, që ka defekt brenda garancisë.
Qytetarja shkruan se ka katër muaj që kërkon që t’i zgjidhet problemi në lidhje me një tharëse flokësh “Dyson”, që ka pësuar defekt dhe që faqja online është e detyruar të zgjidhë problemin, pasi produkti është brenda garancisë.
Në mesazhin e saj, qytetarja shprehet:
"Pershendetje stafi i JOQ,
Ju shkruaj për një problem që kam tashmë 4 muaj dhe nuk po i jap dot zgjidhje. Ndoshta para mesazheve të tjera që merrni, kjo e imja mund të duket pak "pa vlerë", gjithsesi po ju shkruaj me shpresë se ndoshta do të gjej një zgjidhje, ose të paktën të parandaloj që të mashtrohen edhe njerëz të tjerë si puna ime.
Më 11 gusht të vitit të kaluar, kam blerë një produkt online, një tharëse flokësh “Dyson”, tek një dyqan online që pashë të reklamuar nga shumë blogere—Modastika quhet. E porosita, bëra pagesën dhe më thanë që vinte me garanci 2-vjeçare dhe se çdo gjë ishte në rregull.
Pas 7-8 muajsh, produkti pati një defekt. Duke qenë se isha ende brenda garancisë, i shkruajta faqes dhe tashmë ka 4 muaj që më mashtrojnë duke më thënë “jo sot, jo nesër”. Po ju dërgoj edhe bisedat me këtë faqe. Do të isha shumë mirënjohëse nëse do t'i publikonit, ndoshta ndërgjegjësohen pak ose të paktën mos të mashtrohen të tjerë për të blerë në këto faqe mashtruese.
Faleminderit,"
Qytetarja, e cila dëshiron të mbetet anonime, shpreson se duke ndarë këtë histori në media, do të mund të ndërgjegjësojë të tjerët dhe t'i parandalojë ata nga përjetimi i të njëjtit mashtrim.
Redaksia e JOQ do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe të informojë publikun mbi çdo zhvillim të mëtejshëm. Ndërkohë, këshillojmë të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të verifikojnë dyqanet online përpara se të bëjnë blerje.